Vizita e delegacionit të Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës
Drejtor i Përgjithshëm i Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Emil Krsteski, bashkë me kolegët e tij z. Muzafer Bislimi- zv/drejtor, Emilija Rop- Drejtoreshë e Departametit të TI –së dhe Drenusha Latifi - zyrtare e ASHM-së, sot, më 11 shkurt 2020, vizituan Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës.
Qëllimi i kësaj vizite ishte njoftimi me Kryeshefin e ri të ASHAK-së z. Bedri Zyberajn, dhe i uruan emërimin e tij në këtë pozitë. Z. Zyberaj i falënderoi për urimet dhe u zotua se ai do të angazhohet ta thellojë edhe më tutje bashkëpunimin mes dy institucioneve. Me këtë rast, nga të dy palët u shpreh gatishmëria për të vazhduar bashkëpunimin në mes të dy institucioneve, të cilat tashmë kanë të nënshkruara Marrëveshje të Bashkëpunimit.
Të dy udhëheqësit e institucioneve arkivore, gjithashtu shprehën gatishmërinë për ta pasuruar dhe thelluar bashkëpunimin, i cili do të jetë në nivelin më të lartë zyrtar, dhe u zotuan që do ti përkrahin, mbështesin, promovojnë dhe realizojnë aktivitetet e njëra tjetrës në fushën e arkivistikës.
Delegacioni i Arkivit Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut pat rastin të vizitojë mjediset e punës së ASHAK, si: Depon, laboratorin e digjitalizimit, laboratorin e restaurimit-konservimit, sallën e leximit, bibliotekën etj., dhe shprehën admirimin e tyre për punën që kryhet në këtë institucion.
Të dy krerët e institucioneve u dakorduan, që në një të ardhme e afërt edhe delegacioni nga ASHAK të vizitojë Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut.