Promovohet në Shkup vepra “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare”
Më 5 prill 2021, në kuadër të bashkëpunimit në mes të Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (AShAK) dhe Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) u promovua vepra “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare” e autorit Tahir Sezen, e përkthyer dhe përgatitur për botim në gjuhën shqipe nga Hatixhe Ahmedi.
Promovimin e librit e hapi Drejtori i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup z. Skender Asani, i cili tha se kjo vepër është e një rëndësie të veçantë për historiografinë tonë dhe se pa një hulumtim të mirëfilltë të periudhës pesëshekullore të Perandorisë Osmane e sidomos të marrëdhënieve të shqiptarëve me osmanët, nuk do të mund të shkruhet historia e shqiptarëve.
Me këtë rast nga Agjencia Shtetërore të Arkivave të Kosovës foli Kryeshefi Ekzekutiv z. Bedri Zyberaj, i cili tha se ndjehet i gëzuar që kjo vepër po promovohet në një nga qendrat e vilajeteve shqiptare, përkatësisht në Shkupin e Vilajetit të Kosovës. Me ç ‘rast theksoi se, vepra në fjalë është e një rëndësie të veçantë, e cila hedh dritë mbi të kaluarën tonë historike, konkretisht mbi emër vendet e vilajeteve shqiptare që ishin në kuadër të Perandorisë Osmane, dhe në këtë aspekt paraqet një vepër me interes të veçantë për të sotmen dhe të ardhmen tonë.
Po ashtu, pikëpamjet e tyre rreth veprës “Ndarja administrative e vilajeteve shqiptare”, i paraqitën edhe dy studiues të kësaj fushe shkencore, Sadik Memeti nga Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Murtezan Idrizi nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Në fund të promovimit, znj. Hatixhe Ahmedi, përkthyese dhe përgatitëse e veprës, me një fjalë rasti falënderoi AShAK dhe ITSHKSH për mundësinë e promovimit në Shkup, si dhe të gjithë ata që kishin kontribuuar në forma të ndryshme, që kjo vepër të botohet sa më e kompletuar.