Lënda Arkivore
Lënda arkivore e krijuar në trevat e Kosovës deri në fillim të shek. XX është ruajtur shumë pak. Sunduesit e ndryshëm nuk kanë ndërmarrë masa për mbrojtjen, grumbullimin dhe ruajtjen e dokumenteve të shkruara.
Kjo ka ndikuar që në masë të madhe lënda arkivore me prejardhje nga kjo trevë të shkatërrohet ose të bartët jashtë vendit.
Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës është duke kryer punën me përkushtim maksimal në shërbim të misionit të vet të ruajtjes së lëndës arkivore, sistemimit dhe trajtimit të saj duke e bërë të gatshme për të gjithë studiuesit dhe palët e interesuara me qëllim të shfrytëzimit të dokumenteve arkivore.
Shërbimi arkivor mund t`iu sigurojë gjeneratave të cilat vijnë të vërtetën për të kaluarën, nëse i qasen në mënyrë profesionale dhe plotësisht të pavarur, sepse askush nuk ka të drejtë të shkatërrojë kujtesën historike ose gjurmët e saj.
Ky institucion sot ofron shërbimet arkivore përveç këtu në qendër edhe në 6 qendra rajonale të Kosovës, ka gjithsejtë 99 punëtorë, rreth 13% prej të cilëve janë pjesëtarë të komuniteteve jo shumicë: serbë, turq e boshnjakë.
Si rezultat i punës gjatë viteve, sot në depot e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës (përfshirë edhe gjashtë Arkivat Ndërkomunale) janë të arkivuara 7938.78 metra lineare gjatësi e lëndës arkivore dhe 1310 fonde, prej të cilave 52% janë të përpunuara e të rregulluara. Në kuadër të kësaj sasie janë mbi 250.000 dokumente të digjitalizuara dhe mbi 20 kilometra gjatësi lineare mikrofilma me mbi 800.000 dokumente.
Në mesin e këtyre dokumenteve ekzistojnë të tilla që i përkasin periudhave të hershme të historisë kombëtare dhe ndërkombëtare të cilat janë hulumtuar dhe i përkasin periudhës prej shekullit XIII e tutje.
Duhet theksuar se ndarja e fondeve dhe koleksioneve nëpër periudha është bërë mbi bazën e konsultimit të:
a) Gjendjes faktike nëpër depo.
b) Librit të Inventarit Hyrës.
c) Dosjeve të fondeve dhe koleksioneve,
d) Udhërrëfyesve të botuar
Për më shumë mbi Fondet dhe Koleksionet arkivore që gjenden në ASHAK dhe periodizimin e tyre kliko këtu, për hulumtime online kliko këtu.