Historiku
Fillet e punës institucionale arkivore në Kosovë datojnë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, respektivisht në vitin 1948, kur në kuadër të Drejtoratit Krahinor për Arsim dhe Kulturë, formohet Qendra Arkivore, e cila kujdesej për mbrojtjen dhe evidentimin e lëndës arkivore.
Më 20 mars 1951 me Vendimin e Këshillit Krahinor themelohet Arkivi Shtetëror Krahinor i Kosovës dhe me këtë fillon funksionimi i shërbimit arkivor në Kosovë.
Ky institucion deri në vitin 1965 ishte nën mbikëqyrjen dhe financimin e drejtpërdrejtë të Këshillit Ekzekutiv Krahinor të Kosovës
Pas vitit 1968 filluan të formohen arkivat rajonale dhe ato komunale, me çka fillon edhe ndërtimi i rrjetit arkivor në territorin e Kosovës: themelohet Arkivi ndërkomunal i Prizrenit, pastaj i Pejës, Mitrovicës, Gjilanit, Prishtinës dhe Arkivi Historik i Gjakovës.
Pas suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe vendosjes së masave të dhunshme në të gjitha institucionet e vendit, edhe Arkivi i Kosovës administrohet nga këto masa të dhunshme.
Ndërsa, pas mbarimit të luftës së fundit në Kosovë (vitet 1998-1999), sikurse edhe veprimtaritë tjera, edhe shërbimi arkivor pësoi ndryshime pozitive.
Fillimisht shërbimi arkivor në Kosovë ishte në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por duke u bazuar në përvojat evropiane, me Ligjin Nr. 02/L-80, datë 13 korrik 2006, administrimi me arkiva në kuadër të Qeverisë së Kosovës merr një formë të re të organizimit: Arkivat organizohen në Agjenci Shtetërore në kuadër të Zyrës së Kryeministrit deri më 31.12.2016, ndërsa me vendim të Qeverisë nga 01.01.2017 kalon në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.