Ekspozita në Vlorë
Në kuadër të manifestimeve për 28 Nëntorin, Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e Shqipërisë në bashkëpunim me Bashkinë e Vlorës, hapën ekspozitën ,, Nga nëntorët vijmë në nëntorë shkojmë”. Ekspozita u hap në Qendrën Historike TID Vlora.
Ekspozitën e hapën me një fjalë rasti Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, dhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Dritan Leli.
Në këtë ekspozitë u paraqitën dokumente që nga fillesat e kryengritjeve antiosmane para shpalljes së Pavarësisë më 28 Nëntor 1912 e deri te ngjarjet e mëvonshme që e kanë pasuar këtë ngjarje të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.
Ekspozita përmban Deklaratën e Pavarësisë me firmat e pjesëmarrësve të Kuvendit të Vlorës, disa fotografi të firmëtarëve të kësaj Deklarate dhe të disa qyteteve të Shqipërisë dhe dokumente e fotografi të manifestimeve të ndryshme të përvjetorëve të mëvonshëm që ishin organizuar në qytetet të ndryshme të Shqipërisë etnike.